Mimoza Ahmeti po shkëlqen aktualisht në “Ferma VIP 3”, ku po cilësohet si “fenomeni” i këtij sezoni për shkak të batutave dhe sinqeritetit të saj, por jo të gjithë e kujtojnë se kjo nuk është eksperienca e saj e parë në një reality show të këtyre përmasave.
Ditën e sotme është rikthyer në vëmendje koha kur poetja dhe artistja e njohur mbante karrigen e opinionistes në “Big Brother Albania 8”, periudhë kur spektakli moderohej nga Ledion Liço.
Megjithatë, qëndrimi i saj në atë pozicion ishte mjaft i shkurtër dhe u mbyll mes polemikave të forta dhe një përplasjeje të hapur me produksionin.
Shtysat e parë të konfliktit lindën në rrjetet sociale, ku Mimoza Ahmeti denoncoi publikisht një fotomontazh të publikuar në faqen e Facebook-ut “Big Brother Albania 8”. Sipas poetes, përmes atij postimi po tentohej të nxitej një konflikt artificial mes saj dhe një prej konkurrentëve të larguar, Edisonit.
Megjithëse u sqarua se ajo faqe menaxhohej nga gazetari Olti Curri dhe nuk ishte faqja zyrtare e produksionit, Mimoza nuk e priti mirë situatën.
Vetë Olti Curri reagoi duke i kërkuar poetes më shumë tolerancë ndaj llojit të tij të humorit, duke saktësuar se vija editoriale e blogut të tij nuk përcaktohej nga Top Channel.
Përtej pakënaqësive me rrjetet sociale, Mimoza Ahmeti nuk ngurroi të shprehte rezerva edhe ndaj autorëve të programit, të cilët sipas saj nuk po i jepnin sqarimet e nevojshme për këtë rast.
“Bashkë me Edisonin do dalim në media për ta sqaruar këtë,” paralajmëroi ajo në atë kohë, duke thyer kështu një prej pikave të kontratës që e ndalonte prononcimin pa autorizimin e produksionit.
Por, siç doli në dritë më vonë përmes mediave të shkruara si gazeta “Mapo” dhe “GSH”, pas këtij largimi fshihej edhe një arsye financiare. Mimoza Ahmeti pati deklaruar se ishte e pakënaqur me pagesën prej 200 mijë lekësh për puntatë, duke e konsideruar atë më të ulët në krahasim me opinionistët e tjerë.
Me një mundësi prej 90 për qind për t’u larguar, siç u shpreh ajo vetë asokohe, marrëdhënia me “Big Brother” u ndërpre përfundimisht, duke lënë pas një histori përplasjesh që sot duket se është harruar në dritën e suksesit të saj të ri në fermë. /Lokimagazine.com
