Ekipi i Big Brother nuk trembet/ Përgjigjia e koduar e Sara Hoxhës dhe Ledion Liços ndaj “Ferma VIP”

Në botën e televizionit dhe rrjeteve sociale, asgjë nuk ndodh rastësisht, sidomos kur bëhet fjalë për dy formatet më të fuqishme të momentit.

Një postim i fundit i nisur nga opinionisti Arbër Hajdari ka marrë përmasat e një mesazhi të qartë strategjik drejtuar konkurrencës.

Videoja, e cila shfaq Ledion Liçon, Monika Kryemadhin dhe Arbër Hajdarin duke kërcyer në një atmosferë tejet të relaksuar në studion e “Big Brother VIP”, u ripostua menjëherë nga producentja Sara Hoxha dhe më pas nga vetë Ledioni.

Kjo lëvizje vjen fill pas nisjes së “Ferma VIP”, ku opinionisti Ermal Mamaqi lëshoi një “shigjetë” të drejtpërdrejtë duke u shprehur: “Dikush më tha që ti do jesh ai Hajdari i Fermës”.

Ajo që e bën këtë postim më shumë se një moment “mood” është qasja e pazakontë e Sara Hoxhës. Përgjatë këtij sezoni, producentja ka mbajtur një linjë strikte profesionale në Instagram, duke publikuar vetëm materiale zyrtare promocionale.

Fakti që ajo zgjodhi të ripostonte këtë video, tregon se mesazhi ishte i menduar mirë: makineria e “Big Brother” është e bashkuar, në humor të shkëlqyer dhe plotësisht e paprekur nga thumbat e rivalëve.

Duke u shfaqur si pjesë e të njëjtit zinxhir komunikimi, ata kanë krijuar imazhin e një ekipi kompakt që vazhdon punën i pashqetësuar.

Mesazhi i nënkuptuar është i thjeshtë: Ndërsa “Ferma VIP” bën përpjekjet e saj për të tërhequr vëmendjen, “Big Brother” po argëtohet, i sigurt në pozicionin e tij si lider i audiencës.