Duket se Arbana Osmani po e shijon në maksimum suksesin e orëve të para të rikthimit të saj në ekran.
Përmes një postimi të fundit në llogarinë e saj në Instagram, moderatorja ka ndarë një detaj që nuk ka kaluar pa u vënë re nga ndjekësit, duke ndezur kështu një “luftë” shifrash mes dy formateve më të ndjekura.
Ajo ka publikuar një grafik të kërkimeve në platformën YouTube, ku sipas saj, “Ferma VIP” rezulton të ketë kaluar “Big Brother VIP Albania” në më pak se 24 orë nga nisja e sezonit të tretë.
Për ta bërë edhe më të qartë dhe të drejtpërdrejtë mesazhin e saj, Arbana e ka shoqëruar këtë grafik me një fjali mjaft thumbuese: “Kërkimet nuk blihen”.
Nuk është surprizë që sezoni i ri i “Ferma VIP”, i cili shënon edhe kalimin e Arbanës në këtë format, të gjenerojë një interes masiv në ditët e para.
Kërkimet në YouTube janë padyshim një tregues i fortë i kuriozitetit të publikut për të parë dinamikat e reja.
Sidoqoftë, rrjeti tashmë ka nisur të ngrejë pyetje. Është një fakt i pamohueshëm që “Ferma VIP” ka nisur me vëmendje maksimale, por mbetet për t’u parë nëse ky interes i lartë do të vijojë të mbahet i qëndrueshëm.
A është ky thjesht efekti i premierës apo fillimi i një dominance të re në shikueshmëri? Përgjigjja, si gjithmonë, pritet të vërtetohet me kalimin e kohës.
