Mbrëmjen e djeshme, ekipi kombëtar shqiptar pësoi një disfatë me rezultatin 2-1 përballë Polonisë, një humbje e cila i dha fund mundësive të Shqipërisë për të siguruar një biletë drejt Kampionatit Botëror 2026.
Pas këtij rezultati, reagimet në rrjet nuk kanë munguar, ku një pjesë e publikut ka shprehur qëndrime të ndryshme mbi zgjedhjet teknike të ndeshjes.
Mes atyre që kanë reaguar publikisht është edhe aktori i njohur Jul Deda.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram, ai ka vlerësuar përpjekjen e lojtarëve në fushën e gjelbër, por ka adresuar kritika të drejtpërdrejta ndaj trajnerit Sylvinho lidhur me minutazhin e dhënë për lojtarë të caktuar.
Deda është ndalur specifikisht te vendimi për të lënë në stol lojtarë si Ernest Muçi dhe Anis Mehmeti, dhe aktivizimin e Nedim Bajramit.
Në postimin e tij, aktori shkruan: “Respekt për çunat që u munduan deri në fund për të dalë me kokën lart nga ajo ndeshje. Por, Sylvinho na e bëri me hile”.
Deda vazhdon: “Merr Muçin dhe Mehmetin vetëm sa për t’i mbyll gojën kritikëve dhe ne tifozëve që i duam në kombëtare. Pra ai vetë nuk i konsideron si vlerë e shtuar e skuadrës. Përkundrazi nxjerr nga dollapi i pluhrosur Bajramin dhe e fut në fushë, edhe pse ai ka kohë që ka kry punë me kombëtaren. Nuk dua t’i hedh poshtë punën askujt, as Sylvinhos, por futbolli është sporti që ndiqet masivisht dhe si i tillë është lehtësisht i kuptueshëm. Gjërat janë të thjeshta. Në gjithë botën, lojtari që ka minuta dhe bën gola luan përpara atij që ka harru me u fut në fushë dhe nuk e di ku është porta. Nuk bëhet kjo punë me “këtë e kam xhan dhe këtë e kemi mik”. Futboll luan kush e meriton”

