Një tjetër situatë e tensionuar në shtëpinë e “Big Brother VIP” ka tërhequr vëmendjen e aktorit Jul Deda, i cili ka zgjedhur ta komentojë ngjarjen me nota të theksuara ironie në rrjetet e tij sociale.
Bëhet fjalë për një moment ku Rogerti ka hedhur një sasi brumi në mbeturina, veprim ky që ka shkaktuar reagime të ashpra nga pjesa tjetër e banorëve.
Në videon e publikuar, dëgjohet fillimisht Rogerti i cili pranon veprimin e tij duke thënë: “E hodha brumin në kosh”. Kjo ka sjellë menjëherë kritikën e Selinës e cila i kthehet: “S’të vjen zor, s’të vjen”.
Ndërkohë, Mateo e ka dënuar ashpër këtë gjest duke kërkuar indirekt marrjen e masave nga produksioni. Ai dëgjohet të thotë saktësisht: “Ai meriton zarfin e zi. Dhe thotë kam halle, probleme, borxhe për të larë, kam ardhur të përmirësoj jetën. Ça jete do përmirësosh ti shkel bukën me këmbë. Pak se po i bie qylit këtu po ha falas”.
Përballë kësaj situatë të cilësuar si dramatike brenda shtëpisë, Jul Deda ka reaguar duke theksuar një lloj standardi të dyfishtë mes konkurrentëve.
Ai e nis komentin e tij me sarkazëm: “Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në shtëpinë e Big Brother-it. Kujdes janë pamje shumë të rënda”.
Më tej ai vazhdon duke analizuar reagimin e tyre: “Ky është fundi, fundi i njerëzimit. Mori brumin e hodhi në kosh. Çfarë ka ndodhur, uaa, dramat e mëdhaja… Hajde mor ta vrasim Rogertin që hodhi miell me ujë brenda…. Dramë e madhe mirëpo gjithë këta që po na e bëjnë kaq dramë këtë brumin, shikojeni si kanë luajtur me ushqim para ca kohe”.
Për të mbështetur qëndrimin e tij, aktori ka bashkangjitur një tjetër video të filmuar më herët në shtëpi, ku shfaqet vetë Mateo së bashku me Selinën dhe banorë të tjerë.
Në ato pamje, ata shihen duke luajtur një lojë ku godasin njëri-tjetrin në fytyrë me pite, ndërsa mbajnë gojën mbushur me ujë me kushtin që të mos qeshin.
