Një nga formatet më të shumëpritura të spektaklit televiziv rikthehet këtë mbrëmje në ekran.
Ferma VIP 3 nis zyrtarisht edicionin e tij të tretë, duke premtuar një sezon më të madh, më intensiv dhe plot të papritura për publikun.
Spektakli do të transmetohet në Vizion Plus, ndërsa ndjekësit do të kenë mundësi ta ndjekin gjithçka në kohë reale përmes transmetimit live 24 orë në kanalet e dedikuara.
Ky rikthim vjen me një format të zgjeruar dhe një kast të përzgjedhur VIP-ash, të cilët do të përballen me sfida të forta fizike, emocionale dhe strategjike.
Në këtë edicion, pjesëmarrësit hyjnë në fermë që në natën e parë në një numër më të madh se kurrë më parë.
Ata vijnë kryesisht nga fusha e artit, televizionit dhe skenës, duke krijuar një përzierje karakteresh që premton dinamika të forta, aleanca të paparashikueshme dhe përplasje të shumta gjatë gjithë rrugëtimit.
Formati këtë vit vendos theks të veçantë te puna dhe bashkëpunimi, duke e dalluar nga spektaklet e tjera. Përveç sfidave fizike që lidhen me jetën në fermë, banorët do të duhet të përdorin strategji të zgjuara për të mbijetuar në lojë dhe për të arritur deri në finale.
Nën drejtimin e Vita Production dhe producentes Holta Dulaku, në ekran rikthehet edhe moderatorja Arbana Osmani, e cila do të udhëheqë këtë edicion, duke sjellë çdo moment dhe zhvillim të rëndësishëm për publikun.
Duke folur për këtë eksperiencë, Arbana është shprehur:
“Është privilegj për mua të jem këtu, kënaqësi e madhe që punoj në një skuadër kaq fantastike. Ferma është një format krejt ndryshe nga gjithçka kam prezantuar më përpara dhe që kam ideuar më përpara, sepse në qendër të këtij formati është, në vend të lojës, puna. Dhe mua më pëlqejnë shumë njerëzit që punojnë dhe besoj që publiku do të ketë modele të mira për të ndjekur, sepse minimalisht do të ketë punëtorë, njerëz që do merren me bujqësi, me blegtori, me sfida. E përpos këtyre, pasi t’i përfundojnë të gjitha, do duhet të jenë edhe simpatikë për publikun.”
“Ferma VIP 3” synon të ofrojë një eksperiencë të re televizive, ku çdo ditë sjell sfida të reja dhe çdo vendim ndikon drejtpërdrejt në ecurinë e lojës. Përveç aspektit fizik, pjesëmarrësit do të testohen edhe në menaxhimin e emocioneve dhe aftësinë për të bashkëjetuar në kushte të veçanta.
Moderatorja shtoi gjithashtu për kastin e këtij sezoni:
“Jam e gëzuar që kemi një kast të shkëlqyer, janë personazhe, përveçse të njohur, shumica e tyre, shumë të njohur, që janë shënuar prej dekadash. Janë të gjithë njerëz me karrierë, pra që kanë një background të rëndësishëm artistik, por jo vetëm. Kështu që jam e sigurt që për njëqind ditë do të kemi mundësi të shohim gjëra të bukura, por edhe ta ushqejmë pak shpirtin.”
Ky sezon vjen gjithashtu me risi teknologjike, duke përdorur sisteme të avancuara transmetimi dhe një strukturë të re produksioni, e cila mundëson ndjekjen në detaje të çdo momenti brenda fermës.
Me disa regji që funksionojnë paralelisht, publiku do të ketë një pamje më të plotë dhe më të afërt të gjithçkaje që ndodh.
Duke kombinuar elemente të reality show dhe game show, ky edicion synon të kthehet në një nga programet më të ndjekura dhe më të diskutuara të sezonit televiziv në Shqipëri. Nisja e madhe bëhet sonte, duke hapur një tjetër kapitull plot emocione dhe surpriza për publikun.
