Nis Ferma VIP 3/ Arbana Osmani në rolin e “këngëtares”

Edicioni i tretë i reality show-t “Ferma VIP” ka startuar mbrëmjen e sotme me një hapje të veçantë dhe krejtësisht të pazakontë për formatet e këtij lloji.

Moderatorja e programit, Arbana Osmani, ka zgjedhur ta nisë këtë rrugëtim të ri televiziv duke u shfaqur para publikut si asnjëherë më parë, pikërisht duke performuar si këngëtare.

Në pamjet e transmetuara në minutat e para të spektaklit, Arbana shfaqet e kuruar me një veshje të stilit “country”, me kapelë dhe xhaketë lëkure, teksa këndon dhe kalon përmes ambienteve të jashtme të fermës.

Kujtojmë se ky sezon i “Ferma VIP” vjen me ndryshime masive në strukturë, duke përfshirë një numër rekord prej 24 personazhesh të njohur që do të jetojnë për 100 ditë në një ambient tërësisht të transformuar dhe nën vëzhgimin e 158 kamerave.