“Vëllai i madh” largon menjëherë Landin nga shtëpia: Çfarë ndodhi?

Vizita e Roland Hysit në shtëpinë e “Big Brother VIP” për të surprizuar Mirin gjatë sfidës së mosreagimit, nuk ka zgjatur aq sa pritej.

Ndryshe nga hyrjet e tjera të kësaj prove, qëndrimi i tij është ndërprerë në mënyrë të papritur nga produksioni, duke nxitur reagime dhe aludime të shumta në rrjet.

Sapo hyri në shtëpi, Landi u drejtua menjëherë drejt dhomës së gjumit ku ndodhej Miri. Për të shprehur mbështetjen e tij, ai e nisi takimin me fjalët inkurajuese: “Xhik, ke fituar shumë, i ke dhënë jetë një shprese që s’do të shuhet kurrë”.

Më pas, ai zgjodhi t’i dedikonte disa vargje emocionuese, duke i kënduar: “Imagjino fjalën e mirë kur ti e do dhe e dëgjon, imagjino të ndjesh në jetë se ty Xhik vërtet dikush të do, imagjino sa shumë të tjerët ty vërtet të vlerësojnë, jeto me shpirt të pastër dhe për ëndrrat ti shpreso.”

Më pas, kur këngëtari theksoi frazën “Miri, Miri dhe vetëm Miri”, u dëgjua zëri i Vëllait të Madh që e urdhëroi të largohej nga ambientet e banorëve me thirrjen e prerë: “Landi, në dhomën e rrëfimit”.

Në nxitim e sipër për t’u larguar, ai arriti t’i përcillte Mirit një mesazh të fundit të mbushur me nënkuptime: “Xhiko, jepi fort, mos hiq dorë Xhik, fortë, dy duar janë vetëm për një kokë. Fito, fito dhe vetëm fito. Dhe mos harro, ‘jo jo se kisha dit që me ty do flija, ca tersi kom që t’kom komshie. Shumë ters i madh. Mos i pëlqe asnjë gjë, asnjë çikë’.”

Ky moment i shkurtër dhe mesazhi i tij i fundit, i cili i referohet vargjeve të njohura muzikore për “komshien”, po interpretohet gjerësisht si një sinjal i qartë për Mirin që të mbajë distancë nga banorët e tjerë, specifikisht nga Rogerti dhe Juela.

Qëndrimi i tij tejet i shkurtër, krahasuar me të ftuarit e tjerë të sfidës, ka ngritur dyshime se produksioni ndërhyri pikërisht për të shmangur dhënien e informacioneve ose direktivave kaq të drejtpërdrejta nga jashtë që mund të ndikojnë në lojë.