Detaje të reja për “Ferma VIP 3”: Nga kohëzgjatja te numri rekord i konkurrentëve

Një ditë para nisjes së sezonit të tretë të “Ferma VIP”, regjisori Eduart Grishaj ka ndarë detaje të rëndësishme organizative dhe teknike rreth formatit në një intervistë përballë moderatorit Florian Agalliu në Vizion Plus.

Ai konfirmoi se rrugëtimi i personazheve do të zgjasë 100 ditë, i monitoruar në çdo moment përgjatë 24 orëve, ndërsa netët e spektaklit do të transmetohen dy herë në javë.

Ndryshimi më i madh për këtë edicion është zgjerimi i kastit të pjesëmarrësve dhe hapësirave të banimit. Nata e parë do të hapë dyert për një numër rekord konkurrentësh, të cilët do të ndahen në 3 shtëpi të ndryshme.

Për këtë, regjisori theksoi: “Dyfishi i sezonit të parë (24 fermerë).” Lidhur me personazhet e përzgjedhur, ai shtoi: “Janë emra shumë të mirë që publiku i njeh, por nuk i ka parë kurrë në dimensionin e vëzhgimit 24 orë.”

Ndryshime thelbësore ka pësuar edhe vetë koncepti i shtëpisë, duke u larguar nga pamja e edicioneve të kaluara. Ambientet e destinuara për kryefermerin dhe fakirët kanë ndryshuar koncept, ndërsa hapësira e përgjithshme është transformuar rrënjësisht.

Shtëpia nuk ngjan më me një fshat tradicional shqiptar, por me një fshat modern në Teksas apo Los Anxhelos. Pellgu i rosave është zëvendësuar me një pishinë të madhe luksoze,” shpjegoi Grishaj.

Sipas tij, “Çdo gjë ka ndryshuar: nga studioja, ndriçimi e deri te kamerat. Shtëpia është katër herë më e madhe dhe numri i kamerave që vëzhgojnë 24 orë është shumëfishuar.”

Dinamika e lojës këtë sezon do të ofrojë një gërshetim të jetesës rurale me sfidat sportive. Për këtë pjesë, Grishaj sqaroi: “Filozofia e fermës do të jetë një miks: nga mbjellja e tokës dhe punët e stallës, deri te sfidat fizike. Ka konkurrentë shumë të fortë dhe të palestruar, por sfidat do t’u përshtaten të gjithëve.”

Për të përballuar këtë zgjerim, produksioni ka investuar fuqishëm në anën teknike. Përveç 4 regjive, mbikëqyrja do të realizohet përmes një numri të lartë pajisjesh të fjalës së fundit.

Tani do të quhet Vila. Do të jenë 158 kamera që unë do t’i monitoroj nesër mbrëma,” tha regjisori, duke theksuar cilësinë e tyre: “Janë kamerat e fundit që përdoren edhe në finalet e botërorit. Me to mund të xhirohet edhe Champions League.”

Ai përfundoi duke shtuar se “kam dashur të fus një frymë kinematografike në program.”

Kujtojmë se edicioni i tretë i këtij reality show nis transmetimin këtë të premte nën drejtimin e Arbana Osmanit, ndërsa në karriget e opinionistëve do të ulen Einxhel Shkira, Armina Mevlani dhe Ermal Mamaqi.