Aktorja dhe fituesja e “Big Brother VIP Albania 3”, Egla Ceno, ka ndarë një shqetësim publik përmes llogarisë së saj në Facebook, duke bërë me dije se automjeti i saj personal është dëmtuar gjatë qëndrimit të parkuar poshtë banesës.
Ajo shpjegoi se prej disa ditësh kishte vënë re lëvizje të dyshimta me fshirëset e makinës, të cilat mbrëmjen e djeshme janë gjetur të thyera.
Përmes reagimit të saj, Egla i dërgoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë autorit të këtij veprimi, duke theksuar se zona është e monitoruar dhe se do t’u drejtohet menjëherë organeve ligjzbatuese.
Ajo shkroi saktësisht: “Një paralajmërim për personin që ka disa ditë që luan me fshirëset e makinës time poshtë shtëpisë dhe që sonte e kishte thyer. Të kujtoj që në lagje, pikërisht sipër ku ishte parkuar makina sonte në mbrëmje, ka një kamera sigurie. Nesër patjetër do bëj një kallzim në polici që të tuteloj veten.”

Gjatë shpjegimit të situatës, aktorja vuri në dukje edhe anën humane dhe rëndësinë jetike që ka ky automjet për familjen e saj, duke treguar se i shërben për t’u kujdesur për nënën e saj me probleme shëndetësore.
“Makina është mjet i rëndësishëm në kushtet që jam edhe me një nënë të paralizuar të cilën duhet ta lëviz për kontrolle,” theksoi ajo.
Në mbyllje të mesazhit, Egla la të kuptohet se ka dyshime mbi arsyet dhe personat që mund të fshihen pas këtij incidenti, por theksoi se çështja do të zgjidhet nga organet kompetente.
ajo e përfundoi reagimin e saj me fjalët: “Unë nuk jam njeri pa njeri, mos më prek damarin e Cenos se nuk të lë “hekur” që ke ngulur në asfalt, pa lëvizur.”
