Teksa rrugëtimi i “Big Brother VIP 5” po shkon drejt fundit, dinamikat brenda shtëpisë po marrin një tjetër rrjedhë.
Së fundmi, një zarf i bardhë ka mbërritur në ambientet e shtëpisë, duke i vendosur konkurrentët përballë një pyetjeje mjaft të drejtpërdrejtë dhe personale.
Përmes këtij komunikimi, produksioni u ka kërkuar banorëve që të bëjnë një reflektim të sinqertë mbi lojën dhe bashkëjetesën e tyre, duke lënë mënjanë ambicien personale për çmimin e madh.
Në përmbajtjen e zarfit, i cili u lexua nga Mali në prani të të gjithëve, thuhej saktësisht:
“Banorë, rrugëtimi juaj në këtë shtëpi po i afrohet fundit dhe çdo ditë që kalon gara bëhet edhe më e fortë. Në këto momente është koha për një reflektim të sinqertë. Vëllai i Madh ju fton një nga një të shprehni mendimin për pyetjen: Kë do të dëshiroje ta fitonte BBV dhe pse, pa përfshirë veten?”
Theksojmë se kjo detyrë pritet të nxjerrë në pah aleancat dhe miqësitë e vërteta që kanë rezistuar gjatë këtyre muajve izolim, duke u dhënë mundësinë shikuesve të kuptojnë se cili prej banorëve gëzon mbështetjen reale të vetë konkurrentëve pak kohë para finales së madhe.
