E ftuar së fundmi në një intervistë për RTV Dukagjini, ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Hygerta Sako, është ndalur te një nga temat më të diskutuara dhe të kritikuara ashpër nga publiku përgjatë edicionit të saj: mungesa e theksuar e higjienës brenda shtëpisë.
E ngacmuar nga moderatorja pikërisht për këtë çështje, Hygerta zgjodhi të përgjigjet me shumë sinqeritet dhe pa i mbrojtur ish-banorët e tjerë.
Ajo theksoi se papërgjegjshmëria e disave bënte që situata të dilte jashtë kontrollit, pavarësisht ndarjes javore të punëve nga kapiteni i shtëpisë.
Ajo ndau dhe eksperiencën e saj personale me detyrat e shtëpisë, duke treguar se shpesh i caktohej lavanderia—një ambient ku krijoheshin “kapule me rroba”, pasi banorët i sillnin për t’i larë dhe nuk kujtoheshin më t’i merrnin, duke prishur kështu rregullin e një dhomëze ku zhvilloheshin shpesh debate e biseda.
Pasi sqaroi se ajo vetë i mbante hapësirat e saj personale “të qëndisura” dhe kryente çdo detyrë të caktuar, Hygerta bëri një deklaratë të fortë lidhur me mungesën e përgjegjësisë së të rriturve aty brenda:
“Ishte në përgjegjësinë edhe në ndërgjegjen e gjithsecilit që ta kryente atë detyrë që ishte ngarkuar nga kapiteni… Njerëzit e rritur duhet të marrin përgjegjësi mbi të gjitha për higjienën e tyre personale, që është turp e faqe zezë që në 2026-ën ka akoma njerëz që nuk lahen! Dhe pastaj për një ambient të përbashkët ku jetonim, hanim, flinim… sigurisht që duhet të ishin shumë më të kujdesshëm.”
Në mbyllje të këtij argumenti, Hygerta tha: “Kështu që të gjitha komentet negative që ne kemi marrë për çështjen e higjienës në këtë edicion të Big Brother, i kemi merituar, patjetër”.
