Një ngjarje e rëndë është shënuar në shtetin fqinj, ku Kastriot Matrizi, një 45-vjeçar me origjinë nga Lezha, ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti rrugor.
Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Rethimnos në ishullin e Kretës, ndërsa lajmi i hidhur është bërë i ditur përmes një njoftimi nga Komuniteti Shqiptar i kësaj zone.
I ndjeri kishte emigruar prej rreth tre dekadash në Greqi, ku ishte integruar dhe shquhej për kontributin e tij të vazhdueshëm si aktivist në ndihmë të bashkëkombësve.
Humbja e tij bëhet edhe më e rëndë për familjen nga fakti se vetëm një ditë para aksidentit fatal, ai kishte përcjellë djalin e tij për të nisur shërbimin ushtarak.
Në mesazhin e tyre të ndjerë të ngushëllimit, Komuniteti Shqiptar i Rethimnos u shpreh saktësisht:
“Sot zemrat u rënduan nga një lajm që nuk duhej të vinte kurrë. U nda nga jeta tragjikisht miku, shoku dhe vëllai ynë Kastriot Matrizi, nga Lezha në moshën 45 vjeçare (25.12.1980 – 21.03.2026). Një njeri i mirë, një shpirt i madh, një baba i përkushtuar i dy fëmijëve, një mik që dinte të jepte vetëm mirësi. Ironia më e dhimbshme e fatit është se vetëm dje ai përcolli djalin e tij për të shërbyer në ushtri, me krenari dhe dashuri prindërore, ndërsa sot familja, miqtë dhe gjithë komuniteti, ne shokët e tij japim këtë lajm të kobshëm. Kastrioti jetoi dhe punoi për mbi 30 vite në Kretë, duke u bërë jo vetëm një emigrant i ndershëm, por një nga zërat dhe aktivistët të përkushtuar të komunitetit shqiptar në Rethimno. Ai ishte gjithmonë aty ku kishte nevojë për ndihmë, aty ku duhej një fjalë e mirë, një dorë që zgjatet, një zemër që kupton.”
Theksojmë se pamjet nga vendngjarja, të cilat dëshmojnë pasojat e rënda të aksidentit, janë pasqyruar gjithashtu edhe nga mediat lokale greke.
