Mes Gjestit dhe Selin, kush do ta fitonte BBVIP? Gimbo e bëri zgjedhjen e tij

Pas eliminimit të tij nga shtëpia e “Big Brother VIP 5”, Gimbo ka qenë i ftuar këtë të diel në programin “Big Brother VIP Fan Club” për të folur rreth rrugëtimit dhe përvojës së tij në këtë reality show.

Gjatë intervistës, përveç analizimit të dinamikave që la pas, ish-banori u përball edhe me një pyetje ngacmuese nga paneli.

Ai u pyet se, në një skenar hipotetik ku Gjesti dhe Selin do të ishin konkurrentë në të njëjtin edicion, cili prej të dyve do të arrinte të shpallej fitues i formatit.

Përballë kësaj alternative, Gimbo zgjodhi të përmendë emrin e Gjestit si fituesin e mundshëm, por pa lënë mënjanë as vlerësimin për ish-partneren e tij në lojë. Ai e shoqëroi zgjedhjen e tij duke u shprehur saktësisht:

“Mendoj se do ta fitonte Gjesti, por normal nuk mund ta mohoj edhe Selinin.”

Kujtojmë se raporti mes Gimbos dhe Selinës ka qenë një nga linjat kryesore të diskutuara gjatë qëndrimit të tij në shtëpi, i cili përfshiu një afrimitet të shpejtë dhe një puthje që solli mjaft debate si brenda, ashtu edhe pas daljes së tij nga gara.