Zbulohen dramat e para të Ferma VIP 3 ende pa nisur spektakli: Përplasje në produksion?

Marrja e drejtimit të “Ferma VIP” nga Arbana Osmani duket se ka sjellë një epokë të re për këtë reality show, me moderatoren dhe autoren që duket e vendosur të lërë pas çdo gjurmë nga edicionet e kaluara.

Ndryshimet e paralajmëruara për sezonin e tretë, i cili pritet të nisë më 27 mars, janë rrënjësore dhe prekin çdo detaj të formatit vizual dhe konceptual.

Një nga transformimet më të dukshme do të jetë vetë shtëpia e fermerëve. Nga stili karakteristik rustik që ka shoqëruar dy edicionet e para, ambientet e reja do të vijnë plot ngjyra dhe nën frymën e stilit “pop art”.

Edhe skena do të pësojë një ndryshim të madh, duke u larguar nga stili i mëparshëm i fermës për t’u bërë shumë më madhështore, me një ngjashmëri të theksuar me skenat e “Big Brother”.

Megjithatë, detaji që ka ngritur më shumë pyetje dhe ka tërhequr vëmendjen e publikut ka qenë ndryshimi i logos. Identiteti vizual i programit ka kaluar nga logoja e njohur me patkua, në një dizajn krejt të ri që paraqet siluetën e shtëpisë së Fermës.

Ky transformim tregon se Arbana ka marrë plotësisht në dorë frenat e programit, duke këmbëngulur në një shkëputje nga e shkuara dhe duke mos dashur që formati i ri të asociohet vizualisht me të vjetrin.

Por, a ka shkaktuar ky revolucionarizim i formatit një krisje të mundshme mes produksionit të vjetër, të drejtuar nga Holta Dukaku, dhe atij të riut që komandon Arbana Osmani?

Deri më tani, asgjë nuk është e qartë dhe gjithçka mbetet në kuadrin e aludimeve. Publiku dhe mediat janë në pritje të natës së parë të “Ferma VIP 3” për të parë nga afër këtë transformim të madh dhe për të zbuluar më shumë rreth dinamikave të këtij edicioni.