Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur si “Gjesti”, ka lënë sot ambientet e paraburgimit, por ky zhvillim pozitiv ligjor ka ardhur në një moment mjaft delikat për jetën e tij personale.
Dita e rifitimit të lirisë ka rastisur pikërisht me datën e lindjes së vëllait të tij të ndjerë.
Eldioni, i cili u nda nga jeta vetëm pak muaj më parë, do të mbushte sot 16 vjeç. Kjo koinçidencë e bën kthimin e artistit pranë familjes një ngjarje të ndarë mes lehtësimit për mbylljen e masës së izolimit dhe përballjes me një mungesë të madhe në një datë të shënuar.
Për Gjestin dhe të afërmit e tij, kjo ditë shënon një rikthim të mbushur me emocione të dyzuara, ku mundësia për të qenë sërish bashkë përballet me peshën e kujtimeve.
Kujtojmë se lirimi i tij u bë i mundur këtë të enjte pas miratimit të kërkesës nga autoritetet, duke mbyllur një kapitull me drejtësinë, për t’u rikthyer te rrethi i tij i ngushtë në një periudhë kur prania fizike pranë familjes është më e nevojshme se kurrë.
