Përplasja e madhe mes artistëve shqiptarë dhe shtëpisë diskografike “ONIMA” pas sulmit nga Gjesti, po merr përmasa gjithnjë e më të ashpra.
Pasi pronari i kompanisë, Erkand Shabani, publikoi listën e emrave të njohur që ka denoncuar në organet kompetente për nxitje të dhunës, nuk ka vonuar edhe kundërpërgjigja e parë direkte.
Xheneta Fetahu, e cila ishte pjesë e kësaj liste të “zezë”, ka zgjedhur të reagojë publikisht duke mos treguar asnjë shenjë frike apo tërheqjeje.
Përmes një fotografie të postuar në Instastory, ku shfaqet mjaft e qetë, ish-banorja e BBVK i është drejtuar Shabanit me një gjuhë plot sarkazëm dhe ironi. Ajo theksoi se e gjithë kjo situatë po kthehet në një dramë të ekzagjeruar, duke e sfiduar hapur që ta çojë çështjen përpara.
“Wow, na frikësove shumë. Me këtë dramë duket sikur po hapet gjyqi i shekullit, jo një story në Instagram. Mos u kurse – çoje deri në gjykatat më të mëdhaja,” – ka shkruar Xheneta, duke lënë të kuptohet se paditë e tij nuk kanë asnjë peshë për të.

Por, goditja e vërtetë erdhi në fund të postimit të saj. Xheneta nuk u mjaftua vetëm me ironinë për gjyqet, por lëshoi një akuzë të rëndë që prek drejtpërdrejt marrëdhëniet e punës brenda kompanisë. Ajo i bëri thirrje publike Erkand Shabanit që të shlyejë detyrimet ndaj stafit të tij.
“Paguaj të paktën punëtorët se boll djersë hëngre,” – ishin fjalët e saj përmbyllëse, duke ngritur hije të reja dyshimi mbi mënyrën e funksionimit të ONIMA-s dhe duke i hedhur edhe më shumë benzinë këtij debati të ndezur.
