E zëvendësoi në WakeUp, Enxhi Nasufi flet për herë të parë për Heidi Baçin

Pas shkëputjes nga drejtimi i emisionit të mëngjesit pak muaj më parë, Enxhi Nasufi po shijon një periudhë qetësie, duke u fokusuar tek vetja dhe projektet personale.

Megjithatë, kurioziteti i publikut rreth mendimit të saj për formatin që la pas dhe për vajzën që i zuri karrigen, Heidi Baçin, ka qenë i madh.

Së fundmi, Enxhi ka thyer heshtjen duke folur me shumë sportivitet dhe maturi. Ajo u shpreh se ruan një vlerësim maksimal për institucionin e Top Albania Radios, frekuencat e së cilës i mban ende si kolonë zanore të përditshmërisë së saj.

Por, kur u pyet nëse e ndjek emisionin çdo mëngjes ku tashmë moderon Heidi krah Blendi Salajt, Enxhi pranoi me të qeshura se nuk e bën dot, pasi më në fund po shfrytëzon kohën për të rikuperuar gjumin e munguar të atyre muajve me zgjime në orët e para të agimit.

Pavarësisht kësaj shkëputjeje, artistja nuk i ka kursyer fjalët e mira për pasardhësen e saj, duke treguar se nuk ka asnjë ngarkesë apo inat profesional. Ajo evidentoi pikat e forta të Heidit për televizion:

Heidi është shumë pozitive, e buzëqeshur, cilësi shumë e mirë për vajzë ekrani. Do uroja t’i merrte më të mirën.”

Në mbyllje, Enxhi theksoi rëndësinë dhe peshën që ka një eksperiencë e tillë. Ajo e cilësoi punën në radio dhe në emisione të tilla si një “shkollë më vete”, ku çdo moderator fiton shpejtësi, sportivitet në komunikim dhe aftësi për të reaguar në sekondë.

Një mesazh ky që lë të kuptohet se Heidi, sipas saj, ka një mundësi të artë për të përvetësuar disiplinën dhe dinamikën e botës televizive.