Kërkesa e Artanit gjatë spektaklit të mbrëmshëm nuk ka rënë në vesh të shurdhër.
Vëllai i Madh ka futur sot një zarf të bardhë në shtëpi, duke zyrtarizuar një “aksion” pastrimi që i ka vënë të gjithë banorët në lëvizje, përveç dy personave të privilegjuar.
Në zarf shkruhej se, duke marrë shkas nga kërkesa e Artanit në Prime, të gjithë banorët kanë detyrimin të pastrojnë shtëpinë brenda një ore. Por surpriza e vërtetë qëndron te ndarja e roleve, ku hierarkia ka ndryshuar përkohësisht.
“Të vetmit që nuk do të punojnë dhe do të mbikëqyrin punët tuaja janë Artani dhe Greta,” – lexohej në zarf.
Kështu, ndërsa shtëpia është kthyer në një kantier pune për pastrimin brenda 60 minutave, Artani dhe Greta kanë marrë rolin e mbikëqyrësve, duke shijuar komoditetin dhe duke dhënë urdhra ndërkohë që të tjerët punojnë.
