Luana Vjollca rikthehet në Top Channel? Ja programi ku mund ta shohim

E kemi parë si moderatore, këngëtare dhe së fundmi po e shohim si sipërmarrëse, por duket se Luana Vjollca do të rikthehet tek dashuria e saj e vjetër, moderimi.

Zërat për një rikthim të saj në televizion po bëhen gjithnjë e më të fortë. Thuhet se ajo mund të shfaqet sërish në ekranin e Top Channel, aty ku nisi rrugëtimin e saj mediatik, madje si e ftuar në programin Goca & Gra.

Së fundmi, Luana Vjollca prezantoi brandin e saj të veshjeve në spektaklin Big Brother VIP Albania. Gjatë mbrëmjes live, moderatori Ledion Liço i dërgoi një mesazh të ngrohtë nga studio, duke e përshëndetur publikisht dhe duke shprehur vlerësimin për të.

Reagimi i Luanës nuk vonoi. Ajo e ripostoi momentin në Instagram, duke shkruar: “Edhe unë ju dua shumë”, dhe duke etiketuar Ledionin, Sarën si edhe Lori Hoxha.

Një shkëmbim i thjeshtë përshëndetjesh, por që u interpretua si tregues i një raporti të konsoliduar me drejtuesit e televizionit.

Në shtator 2025, gjatë një bisede virtuale me ndjekësit, ajo u shpreh kështu: “Sigurisht që do rikthehem në ekran sepse nuk di si të jetoj pa ju…”

Edhe pse nuk dha detaje për formatin apo kohën, mesazhi ishte i qartë: televizioni mbetet pjesë thelbësore e saj. Ndërkohë, në nëntor të po atij viti, ajo ngacmoi fansat me një pyetje në rrjetet sociale: “Pa më thoni pak, cilin program doni?” duke lënë të hapur mundësinë për projekte të reja.

Kujtojmë se ajo u largua nga Top Channel në vitin 2021, pas një rrugëtimi 15-vjeçar. Në atë kohë, e përshkroi këtë eksperiencë si një kapitull të rëndësishëm në karrierën e saj, duke e quajtur televizionin “shtëpia ime”.

Pas kësaj periudhe, ajo u angazhua në televizione të tjera kombëtare. Në Tv Klan solli formatet Zemër Luana dhe Love Island Albania, ndërsa në Vizion Plus drejtoi Ferma VIP. Megjithatë, këto projekte rezultuan jetëshkurtra, duke mos kaluar më shumë se një sezon.

Kaq ka mjaftuar që të lindin aludime për një rikthim të mundshëm të formatit që e identifikoi më së shumti me publikun, “Shiko Kush Luan”

Për momentin, gjithçka mbetet në kuadrin e spekulimeve, por sinjalet janë aty. Tashmë mbetet të shihet nëse në javët në vijim Luana do të zbulojë planet konkrete dhe nëse rikthimi në Top Channel do të konkretizohet.