Prej vitesh nuk flet me të vëllain/ Rogerti bën rrëfimin në BBV: “E kam bullizuar…”

Pas debatesh të forta dhe dinamikave të tensionuara, shtëpia e “Big Brother VIP Albania” ka përjetuar një nga momentet më të ndjera dhe emocionuese të këtij edicioni.

Për herë të parë, Rogerti ka hequr “armaturën” e lojtarit të ashpër dhe ka hapur zemrën, duke ndarë me publikun një peng shumë të madh familjar: marrëdhënien e ngrirë me vëllain e tij.

Rogerti ka treguar se ai dhe vëllai i tij nuk kanë asnjë lloj komunikimi që prej vitit 2021. Shkaku i kësaj krisjeje të thellë, siç ndodh rëndom në shumë familje, kanë qenë mosmarrëveshjet për çështje pronash dhe parash.

Inati mes tyre ishte aq i madh, saqë Rogerti pranoi se për vite me radhë ishte shprehur me bindje të plotë se “nuk donte t’ia shihte më sytë” të vëllait.

Por, gjakrat dhe inatet u thyen përballë një fatkeqësie. Banori tregoi se gjërat filluan të ndryshonin kur babai i tyre u sëmur. I ati i kishte lënë një amanet dhe i kishte kërkuar me ngulm Rogertit që të rregullonte marrëdhëniet me të vëllain.

Pika që e ka thyer përfundimisht emocionalisht ka qenë momenti kur ai ka takuar për herë të parë mbesën e tij të vogël, të cilën për shkak të inateve nuk e kishte parë kurrë më parë.

Në një moment reflektimi të thellë, Rogerti ka bërë edhe një pranim të rrallë para kamerave. Ai tregoi se kur kanë qenë adoleshentë, ai ka ushtruar bullizëm ndaj vëllait të tij, një veprim për të cilin sot pendohet thellësisht.

Tashmë, i zhveshur nga çdo inat e mëri e së shkuarës, Rogerti ka vetëm një dëshirë: të takohet me vëllain dhe t’i lënë pas të gjitha konfliktet.

Ai madje i ka bërë një thirrje publike produksionit të “Big Brother”, duke u lutur që t’i mundësojnë një takim surprizë me të vëllain brenda shtëpisë, për të bërë paqen e shumëpritur.