Spektakli i djeshëm solli një nga momentet më të tensionuara të këtij edicioni, pasi u lexua deklarata e ashpër e babait të Selinës drejtuar Mirit.
Ndërkohë që gjatë transmetimit situata ishte e ngarkuar dhe u krijuan dy kampe brenda shtëpisë, diskutimet e thella kanë vazhduar edhe pas përfundimit të spektaklit.
Në orët e vona të natës, teksa po bisedonte qetësisht me Shkëndritin dhe Brikenën, ka qenë Mateo ai që ka ndarë ndjesitë e tij të sinqerta lidhur me fjalët e rënda që dëgjuan nga jashtë.
Ai nuk e ka fshehur tronditjen e tij, duke u shprehur mjaft i prekur dhe duke ndier keqardhje për pozicionin e vështirë të prindit të banores.
“Ishte e tmerrshme. Unë jam shtangur kur e kam dëgjuar, për atë Zot më është rrëqethur mishi,” – është shprehur Mateo.
Për të treguar ndjeshmërinë e tij ndaj peshës emocionale që mund të ketë përjetuar babai i Selinës duke parë dinamikat brenda shtëpisë, Mateo shtoi me keqardhje: “I shkreti… Është e tmerrshme.”
