Pas publikimit të pamjeve të një sulmi fizik ndaj tij, moderatori i “Big Brother VIP Kosova”, Alaudin Hamiti, ka bërë reagimin e parë publik. Dhe këtë e ka bërë ashtu siç i ka hije, drejtpërdrejt nga skena e madhe e spektaklit “Prime” gjatë mbrëmjes së sotme.
Ai zgjodhi të shkëputej për një moment nga dinamikat e shtëpisë, për të adresuar ngjarjen e rëndë që bëri xhiron e rrjetit dhe për t’iu përgjigjur shqetësimeve të pafundme të fansave dhe ndjekësve.
“Dua të falënderoj personalisht të gjithë ata që më kanë shkruar,” – e nisi fjalën e tij moderatori.
Ai e pranoi publikisht incidentin, duke theksuar se u kap në befasi dhe se veprimi ishte tërësisht i pajustifikueshëm. “Po, ka ndodhur një incident, u gjenda i papërgatitur, se nuk ka asnjë arsye për të pritur një agresion në rrugë”.
Pavarësisht kësaj përvoje të hidhur, Alaudini u shfaq i qetë, i buzëqeshur dhe plot profesionalizëm, duke qetësuar të gjithë publikun: “Por unë jam mirë, siç po e shihni”.
Në fund, ai e kaloi vëmendjen te puna e tij dhe rëndësia e formatit, duke i ftuar të gjithë të lënë pas ngjarjet e tilla negative.
“Sonte jemi këtu për spektakël, andaj le të fokusohemi tek ajo që na bashkon të gjithëve: ‘Big Brother VIP Kosova’”.
Ky mesazh i tij u prit me një shpërthim duartrokitjesh nga publiku në sallë, i cili brohoriste emrin e tij.
