Zgjimi i sotëm në shtëpinë e “Big Brother VIP Albania” ka qenë një nga më të hidhurit dhe më të papriturit.
Mbërritja e Zarfit të Zi dhe njoftimi i skualifikimit të Kristit ka tronditur banorët, duke i lënë të gjithë në pikëpyetje për atë që ndodhi në orët e para të mëngjesit.
Siç pamë nga reagimet, ishte Brikena ajo që lexoi vendimin e prerë të Vëllait të Madh: “Kristi Lamaj është përjashtuar përfundimisht nga gara. Televotimi aktual anulohet”.
Ajo e përjetoi rëndë dhe mes lotëve largimin e tij, duke qenë se Kristi ishte një ndër personat e saj më të afërt në shtëpi.
Ndonëse ende nuk kanë një informacion zyrtar, banorët kanë nisur menjëherë të lidhin pikat. Dyshimi i tyre kryesor është se Kristi ka përsëritur të njëjtin gabim fatal: tentativën për të kaluar murin rrethues, veprim ky që e kishte bërë edhe një herë tjetër më parë.
Gjatë një bisede në oborr, Selin u shpreh e bindur për shkeljen e rregullores: “Kur thotë përjashtohet, domethënë ka shkelur rregulloren. Kushedi ka hipur prap atje.”
Nga ana tjetër, Juela zbuloi disa detaje të dyshimta nga sjellja e Kristit një ditë para largimit, duke lënë të kuptohet se ai ndoshta e kishte marrë vendimin: “Po bënte gati rrobat dje… Ka qëndruar shumë vetëm këto ditë.”
Ndërsa Stenaldo shfaqej ende i tronditur, duke u shprehur se nuk arrinte ta kuptonte se çfarë po ndodhte.
E vërteta e plotë pritet të transmetohet të shtunën mbrëma gjatë spektaklit “Prime” në orën 21:00. Sa i përket vetë Kristit, ai ende nuk ka bërë asnjë deklaratë personale pas daljes.
