Loredana Zefi ka vendosur të flasë pa doreza! Pas një periudhe të gjatë heshtjeje, të mbajtur kryesisht për të mbrojtur vajzën e saj, Hanën, reperja ka rrëfyer detaje të padëgjuara rreth raportit të tensionuar me ish-partnerin, Mozzik.
Në një intervistë për programin e Arbana Osmanit, ajo pranoi se kënga e fundit e reperit ishte pika e vlimit që ndryshoi gjithçka.
Situata mori përmasa dramatike sapo u publikua projekti i ri i Mozzik.
Loredana tregoi se ndodhej në shtëpi kur pa videon dhe reagimi i saj ishte ashtu siç do të ishte për këdo që përballet me një surprizë të pakëndshme në rrjet.
“Hajmedet, wtf, shumë e rendë”, tregoi ajo se ishte mendimi i saj i parë. Reperja shtoi se kishte lexuar edhe komentet e ndjekësve, duke theksuar se një pjesë e madhe e publikut e kishte kryqëzuar këtë lëvizje të Mozzik, duke e cilësuar si një “no go”.
Përtej heshtjes publike, Loredana ka zgjedhur të marrë situatën në dorë duke e kontaktuar privatisht.
Ajo i ka shkruar drejtpërdrejt, duke i bërë të qartë se vajza e tyre ishte ndjerë shumë keq nga kjo ngjarje.
Kur i kërkoi llogari për publikimin e këngës në YouTube, Mozzik ishte justifikuar duke u shprehur se në fund të klipit kishte treguar respekt për nënën e fëmijës së tij.
Përgjigja e Loredanës ishte e prerë dhe me këmbë në tokë: një fëmijë nuk ka durimin ta dëgjojë këngën deri në fund, por fokusohet vetëm tek ato detaje që i bëjnë përshtypje.
Si një nënë mbrojtëse, ajo tregoi se i ka dhënë lirinë e plotë Hanës të vendosë vetë nëse dëshiron të komunikojë me të atin apo ta refuzojë, pasi kjo është e drejta e saj.
Gjatë bisedës, artistja vuri në dukje se kjo nuk është hera e parë që ish-partneri e ngacmon me projekte, por këtë radhë ishte e papranueshme për shkak të ndikimit tek vajza 7-vjeçare, e cila tashmë kupton rrethanat rreth saj.
“Mua më vjen shumë turp për çikën, por mosha e bën të veten”, deklaroi ajo, duke theksuar se pavarësisht provokimeve, fokusi i saj absolut mbetet mirëqenia e vajzës.
Mesa duket, kjo “telenovelë” mes dy reperëve është larg përfundimit.
