“Thumb” për Luana Vjollcën? Skena në filmin e Luiz Ejllit që po trazon rrjetin

Filmi më i ri i Luiz Ejllit dhe Kiara Titos, “Loja e fundit”, ka pushtuar kinematë dhe po kthehet me shpejtësi në një nga projektet më të diskutuara nga publiku shqiptar.

Me regji nga Klaudia Brahimaj dhe Bjordi Mezini, ky prodhim ka tërhequr vëmendjen jo vetëm për kastin, por edhe për satirën therëse ndaj botës së televizionit.

Një nga momentet që po komentohet më së shumti është një skenë e mbushur me trëndafila. Ndjekësit e kanë interpretuar këtë ambient si një parodi dhe një “thumb” të drejtpërdrejtë ndaj moderatores Luana Vjollca, e cila njihet për fotot apo postimet e saj të famshme e rrethuar nga buqeta masive me trëndafila në rrjetet sociale.

Projekti i ri kinematografik është ndërtuar pikërisht për të parodizuar ngjarje dhe personazhe reale të medias dhe showbiz-it shqiptar, duke përfshirë edhe detaje të frymëzuara nga vetë jeta e Luizit.

Megjithëse në rrjet po flitet për një rivalitet të mundshëm simbolik mes figurave të ekranit, gjithçka mbetet brenda kornizave të humorit dhe satirës.

Pamjet virale kanë rritur ndjeshëm kuriozitetin e publikut, duke e shndërruar “Lojën e fundit” në një sukses të momentit dhe një hap të rëndësishëm në karrierën kinematografike të dyshes së njohur.