“Mu duk vetja si plehrë” Laert Vasili reagon pas përjashtimit nga “Për’puthen”

Aktori i njohur Laert Vasili ka folur për herë të parë pas bujës së madhe mediatike dhe përjashtimit të tij nga emisioni “Për’puthen”.

I ftuar në studion e “ABC e Mëngjesit”, ai pranoi se gjithçka ndodhi si një impuls i papritur pa ndonjë shpjegim konkret, ndonëse solli një reagim masiv zinxhir.

Duke folur për momentin e puthjes, Vasili e trajtoi me nota ironie situatën dhe standardet e formatit:

Kam përshtypjen se ishte problemi se ishte puthja mashkull me femër se dy femra janë puthur në emision dhe nuk janë shqetësuar. Halli është se nuk duhet të puthja njeri unë. Kam përshtypjen do jetë ndonjë shumë i dashuruar me mua atje. Kështu më erdhi, nuk bërë ndonjë hata. Kam vënë dorën aty dhe asnjë gjë, pastaj qeshën ka dhe duarttrokitje.”

Veprimi i tij shkaktoi një furtunë kritikash. Aktori tregoi se kjo ka qenë një periudhë me ngarkesë të lartë psikologjike, pasi i është dashur të përballet me një valë presioni, komente fyese dhe madje edhe kërcënime personale.

I prekur nga reagimi i produksionit dhe i rrjetit pas faljes që ai kërkoi, Laerti theksoi:

Kokë e falur nuk pritet. Pasi vajza tha “po unë e pranoj ndjesën e Laertit” shoqja Lenka mori pozicion dhe tha “ne distancohemi, promovojmë vlerat. Pra unë qekam një antivlerë edhe mu duk vetja si plehrë. Pashë disa komente që thoshin “pedofil” po ajo është 30-vjeç si dal unë pedofil? Ne përdorim fjalë që nuk i dimë.”

Megjithatë, Vasili nuk e shmang përgjegjësinë. Ai pranoi se askush nuk është i pagabueshëm dhe se e mirëkupton largimin nga programi si një pasojë të veprimit të tij.

Aktori shfrytëzoi rastin për të kërkuar sërish ndjesë publike, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë qëllim të lëndojë apo të cenojë dinjitetin e konkurrentes.

Pas eksperiencës në “Big Brother VIP Albania” dhe kësaj polemike të fundit, Laerti la të kuptohet se është koha të fokusohet aty ku bën më të mirën: në art.

Ai përmendi suksesin e shfaqjes së tij teatrore “Si ta doni”, e cila është mirëpritur ngrohtësisht nga publiku dhe ka mbushur sallat.