Përplasja e fortë e mbrëmjes së kaluar mes Rogertit dhe Selinës nuk është mbyllur me aq. Tensionet kanë vijuar edhe gjatë ditës, ku Rogerti ka ndarë me banorët detaje të reja tronditëse mbi marrëdhënien e tyre dhe përfshirjen e familjeve.
Rogerti u shpreh i prekur thellë nga fakti që debati degradoi në nivel personal. Ai zbuloi se Selina i ka bërë deklarata të rënda, duke i thënë: “Të jem unë djali yt, s’dua të kem baba”, si dhe i është drejtuar Juelës me ironi: “Pyete Rogertin për burrërinë”.
Në kundërpërgjigje, Rogerti ka hapur “letra” të vjetra, duke pretenduar se familja e tij e ka mbështetur atë të Selinës.
“Familja ime i ka dhënë bukë familjes së saj,” – theksoi ai, duke shtuar se deklarata e tij për vëllanë e Selinës (bërë para një muaji) është shtrembëruar.
Ai tregoi se dikur raportet ishin aq të afërta sa djali i tij luante me mbesën e Selinës, por tashmë gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht. Sipas tij, familjet janë ftohur aq shumë sa “nuk duan të shihen me sytë e ballit”.
Rogerti e mbylli diskutimin duke lënë të kuptohet se ka ende detaje të tjera që preferon të mos i bëjë publike, duke i cilësuar si “marre” për t’u përmendur në ekran.
