Pas deklaratës zyrtare të Top Channel, reagon Laert Vasili për puthjen e konkurrentes së “Përputhen”

Pas vendimit të prerë të Top Channel për largimin e tij nga programi, Laert Vasili ka bërë reagimin e parë publik lidhur me incidentin e ndodhur në studion e “Për’puthen”.

Aktori dhe ish-opinionisti ka zgjedhur rrugën e pranimit të fajit, duke iu drejtuar ndjekësve me një mesazh reflektues ku thekson se është i vetëdijshëm për pasojat e veprimit të tij.

Në deklaratën e tij, Laerti shprehet: “Nuk ka njerëz të përkryer, të gjithë bëjmë gabime dhe mirë është që njerëzit kur gabojnë të ndëshkohen për këto gjëra.”

Pjesa më e rëndësishme e reagimit i dedikohet konkurrentes së prekur nga ky incident, Esmes. Vasili ka kërkuar falje hapur për situatën e krijuar: “Nëse në ndonjë moment kam cënuar personalitetin e saj i kërkoj ndjesë.”

Gjithashtu, ai ka përfshirë në ndjesën e tij edhe produksionin dhe stafin e emisionit, duke e mbyllur kështu kapitullin e tij në këtë format me një kërkesë për falje.