Një incident i rëndë i ndodhur gjatë transmetimit live të emisionit “Për’puthen” ka detyruar produksionin dhe televizionin Top Channel të marrin një vendim të menjëhershëm dhe drastik.
Opinionisti Laert Vasili është përjashtuar nga programi pasi puthi në buzë një konkurrente pa miratimin e saj, një veprim që është cilësuar si shkelje e rëndë e etikës dhe kodit moral.
Deklarata zyrtare është lexuar nga moderatorja Megi Pojani në studion e emisionit, duke shpjeguar arsyet e këtij largimi:
“Sjellja e ndodhur gjatë transmetimit, ku opinionisti Laert Vasili ndërmori një veprim fizik intim ndaj një konkurrenteje pa miratimin e saj, është plotësisht e papranueshme dhe bie ndesh me vlerat që Top Channel dhe ky program përfaqëson dhe promovon.
Miratimi nuk është i negociueshëm, nuk është i nënkuptuar dhe nuk mund të anashkalohet në asnjë rrethanë, pavarësisht rolit, statusit apo kontekstit televiziv. Çdo formë sjelljeje që cënon kufijtë personalë përbën shkelje serioze etike dhe morale. Për këtë arsye, dhe për të qenë koherentë me përgjegjësitë që kemi ndaj konkurrentëve, publikut dhe shoqërisë në tërësi, me keqardhje kemi marrë vendimin e largimit të Laertit nga programi.
Dëshirojmë t’i shprehim mbështetjen tonë të plotë konkurrentes së prekur nga ky incident. Siguria dhe dinjiteti i çdo pjesëmarrësi në projektet tona janë prioritet absolut dhe nuk do të lejojmë asnjë individ, pavarësisht rolit të tij, të kompromentojë këto standarde. Top Channel mbetet i angazhuar për të ofruar një mjedis të sigurt, profesional dhe etik për të gjithë pjesëmarrësit në programet televizive dhe bashkëpunëtorët tanë, duke mbajtur lart përgjegjësinë tonë shoqërore dhe ligjore. Programi do të vijojë të jetë një hapësirë ku respekti dhe siguria e çdo pjesëmarrësi janë prioritet absolut.”
