Saga e “arratisjes” së Kristit nga shtëpia e “Big Brother VIP Albania” ka marrë një kthesë të papritur gjatë spektaklit të mbrëmshëm, duke u mbyllur me rikthimin e tij në garë.
Pas aktit të bujshëm të ditës së djeshme, ku banori kapërceu murin rrethues pas një debati të ashpër, u zbulua se ai nuk ishte larguar përfundimisht nga ambientet e Top Channel.
Produksioni sqaroi se Kristi ishte mbajtur i izoluar për disa orë në “shpellë” në pritje të sqarimit të situatës gjatë Prime-t.
Për të vendosur fatin e tij, Vëllai i Madh ia la në dorë publikut përmes një televotimi të hapur gjatë transmetimit direkt. Me shumicë votash, teleshikuesit vendosën që ai të vazhdonte rrugëtimin e tij.
Lajmi i është komunikuar nga moderatori Ledion Liço, i cili i bëri me dije Kristit se mund të rikthehej menjëherë në shtëpi për t’u ribashkuar me banorët e tjerë.
