Një ngjarje e paprecedentë ka tronditur shtëpinë e “Big Brother VIP Albania 5” vetëm pak orë para nisjes së spektaklit të mbrëmjes.
Kristi ka bërë një veprim të papritur duke u arratisur nga shtëpia përmes murit rrethues, pas një konflikti të ashpër fizik me Mirin.
Tensioni nisi në ambientet e jashtme, ku debati verbal degradoi shpejt. Kristi, me një shishe uji në dorë, e ka lagur Mirin duke i thënë: “Do me të pastruar edhe ty”.
Ky veprim ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Mirit, i cili i është kundërpërgjigjur fizikisht dhe me fjalë sfiduese: “Hë provoje njëherë… hajde provoje, surrat”.
Situata doli jashtë kontrollit, pavarësisht ndërhyrjes së Selinës që thërriste “O njerëz, boll” dhe kritikave të Markos, i cili e cilësoi sjelljen e tyre si fëminore dhe “të rrugës”.
Menjëherë pas këtij momenti kaotik, Kristi ka ndërmarrë veprimin drastik. Në pamjet e publikuara, ai shihet duke vrapuar dhe duke u ngjitur me shkathtësi mbi murin, ndërsa banorët e tjerë përpiqen ta ndalojnë duke bërtitur: “Jo, o Kristi, çfarë po bën? O Kristi zbrit!”.
Pavarësisht thirrjeve të Vëllait të Madh në sfond për të zbritur, Kristi ka arritur të kalojë rrethimin, duke lënë banorët dhe publikun në pritje të vendimit që do të merret ndaj tij për këtë thyerje të rëndë të rregullave.
