Qëndrimi i Luiz Ejllit në shtëpinë e “Big Brother VIP” ka sjellë jo vetëm dinamika loje, por edhe rrëfime të ndjera njerëzore.
Së fundmi, gjatë një bisede me Gimbon (DJ e Gjestit), këngëtari ka ndarë një moment prekës nga dita kur mori pjesë në varrimin e vëllait të Gjestit, i cili humbi jetën tragjikisht shtatorin e kaluar.
Luizi ka shprehur habinë dhe respektin e thellë për babanë e Gjestit, duke theksuar forcën e jashtëzakonshme që ai tregoi në ato momente të zymta, edhe pse Luizi nuk e njihte personalisht më parë.
“Kam kujtuar se jam i fortë, po unë sot e pashë çka do të thotë me qenë burrë i fortë. Që të jesh në vendin tënd e të të mbajnë këmbët, ti qofsh,” i ka thënë Luizi Gimbos, duke kujtuar fjalët që i tha babait të të ndjerit atë ditë.
Por detaji më rrëqethës i bisedës ishte momenti kur, mes dhimbjes së paimagjinueshme për humbjen e djalit, babai i Gjestit kishte gjetur forcën të pyeste Luizin për vajzën e tij.
“Unë e di sa e ke dashur, por nuk e di sa je duke vuajtur sepse unë kam fëmijë vetë. Dhe të arrijë burri të më thotë ‘si është Luna’ duke e pasur atë (djalin e vdekur aty), është diçka e rëndë,” rrëfeu Luizi i emocionuar.
Artisti shkodran zbuloi gjithashtu se fillimisht, kur lexoi lajmin e aksidentit, shpresonte të ishte një shpifje portalesh: “Kur ndodhi thashë: ‘Ah këto portalet, pse shpifin’.”
