Momenti që të gjithë prisnin ka ndodhur, por efekti brenda shtëpisë ka qenë edhe më dramatik nga sa parashikohej.
Hyrja e Luiz Ejllit në “Big Brother VIP Albania 5” ka shkaktuar një “tërmet” të vërtetë emocional te banorët, të cilët kanë mbetur fjalë për fjalë të ngrirë.
Produksioni ka luajtur mjeshtërisht me psikologjinë e konkurrentëve: ndërkohë që publiku e di të vërtetën se qëndrimi i Luizit do të jetë vetëm disa ditor, banorëve u është lënë të kuptohet se ai është rikthyer si një banor i rregullt, për të garuar “kokë më kokë” me ta.
Ky informacion ka shkaktuar panik. Më të shokuarit nga kjo hyrje e papritur duket se kanë qenë Kristi dhe Selin. Kamerat kanë fokusuar portretet e tyre të shtangura, teksa e kishin të pamundur ta besonin se fituesi i edicionit të dytë, “fenomeni” që theu çdo rekord, do të jetë tashmë rivali i tyre direkt në shtëpi.
Fytyrat e tyre shprehnin qartë mosbesim për vazhdimësinë e lojës, duke e marrë seriozisht edhe paralajmërimin e tij se “tani luftohet vetëm për vendin e dytë”.
Për Kristin, Selinën dhe banorët e tjerë, kjo hyrje duket se ka përmbysur çdo llogari dhe strategji të bërë deri më tani.
