Hyrja e Luiz Ejllit në orët e para të mëngjesit në “Big Brother VIP Albania 5” nuk ishte thjesht një surprizë, por një test realiteti që tronditi ekuilibrat e shtëpisë.
Reagimi i banorëve ishte pasqyra më e qartë e pasigurisë: Kristi shtangu me duart në fytyrë, ndërsa Rogerti kaloi në veprime ekstreme duke goditur valixhen e Luizit për t’i prishur gjumin.
Por, mes këtij kaosi emocional, një deklaratë e Mateos ka marrë vëmendjen dhe meriton një analizë të ftohtë. Ai u shpreh: “Ka hyrë të hajë ndonjë kockë. Luizi e ka fituar një herë, nuk e fiton më. Nuk ka pasur lojtarë të fortë (kundërshtarë në BBVA 2), kur ka bërë Big Brother ai”.
Sipas Mateos, Luizi fitoi sepse nuk kishte konkurrencë. Por faktet dhe historia e atij edicioni flasin ndryshe.
Sezoni i dytë mban fronin e padiskutueshëm të shikueshmërisë, jo për shkak të dobësisë së konkurrentëve, por përkundrazi, për shkak të karaktereve të forta që u përplasën aty.
Le të bëjmë një rikujtesë të thjeshtë. Imagjinoni Olta Gixharin në këtë shtëpi sot. Rivalja numër një e Luizit, me forcën e saj të argumentit dhe shpirtin luftarak, do të ishte padyshim dominante përballë dinamikave aktuale.
Po Efi Dhedhes? Vajza që theu rrjetin me energjinë dhe artikulimin e saj, qëndronte fort në çdo debat, duke krijuar situata që mbahen mend ende sot.
Nuk mund të harrohet Krist Aliaj. Një lojtar që solli një antagonizëm ndryshe, me batutë dhe stil, pa pasur nevojë të prekte familjet si Rogerti apo të kalonte në ofendime banale për të marrë vëmendje.
Dhe lista vazhdon me Maestron (Armaldo Kllogjeri), strategun që ndryshoi lojën dhe dhuroi humor ndryshe; apo Dea Mishel dhe Amos Zaharian, lojtarë që i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme publike.
Për ta përmbyllur këtë analizë: Deklarata e Mateos duket më shumë si një lexim i gabuar i lojës sesa një realitet. BBVA 2 nuk ishte sezoni i lojtarëve të dobët, por arena ku u krijuan fenomene.
Fitorja e Luizit nuk erdhi nga mungesa e kundërshtarëve, por nga aftësia për të mbijetuar mes lojtarëve mjaft të fortë. Prandaj, krahasimi me atë kast duket një betejë e humbur ende pa nisur për banorët e këtij edicioni.
