Tashmë nuk ka më vend për dyshime: Arbana Osmani do të rikthehet zyrtarisht në ekran. Burime të sigurta kanë konfirmuar se moderatorja do të marrë drejtimin e formatit “Ferma VIP”, duke shënuar kështu rikthimin e saj të bujshëm në zhanrin e “reality show”.
Sezoni i ri, i cili pritet të nisë transmetimin në muajin mars, do të vijë me një koncept totalisht të transformuar televiziv.
Përveç moderimit, ndryshime rrënjësore do të ketë edhe në prapaskenë, ku regjia do t’i besohet Eduart Grishajt, duke rikonfirmuar dyshen e suksesshme në projekte të mëdha.
Rikthimi i Arbanës lidhet ngushtë me disa kushte specifike që ajo i ka vendosur produksionit, duke filluar nga ana financiare e deri te kontrolli absolut mbi përmbajtjen.
Një nga kërkesat kryesore të saj ka qenë “dora e lirë” në përzgjedhjen e kastit.
Sipas informacioneve, këtë vit synohet që niveli i konkurrentëve të jetë shumë më i lartë se në edicionet e kaluara.
Në listën e ngushtë të pretendentëve për t’u bërë pjesë e fermës janë emra të njohur të showbiz-it, përfshirë ish-banorë karizmatikë të “Big Brother” ndër vite, si dhe personazhe që së fundmi kanë qenë të ftuar në programin e saj online, “Mirëmbrëma Yje”.
