Efekti “Luiz” është i menjëhershëm, i frikshëm dhe i pakrahasueshëm me asgjë tjetër të parë më parë në historinë e këtij formati.
Mbrëmja e sotme, e cila shënon rikthimin e fituesit legjendar të “Big Brother VIP 2” në shtëpi, ka thyer çdo parashikim dhe rekord shikueshmërie ende pa nisur transmetimi zyrtar.
Në kanalin zyrtar të Top Channel në YouTube, ku është hapur “livestream-i” i pritjes orë përpara fillimit të spektaklit, ka ndodhur e paimagjinueshmja.
Edhe pse në ekran nuk shfaqej asgjë tjetër veçse logoja statike e “Big Brother VIP Albania” dhe ora 21:00, numri i personave në pritje ka kapur shifrën stratosferike prej mbi 153 mijë shikuesish të njëkohshëm.
Për të kuptuar përmasat e këtij “tërmeti” digjital, mjafton të bëhet krahasimi me rekordin e mëparshëm të këtij edicioni të pestë. Interesi më i madh deri më tani ishte regjistruar pak ditë më parë gjatë “Prime-t” të Rogertit, kur pritej vendimi për skualifikimin e tij. Pritja në YouTube para nisjes së emisionit ishte vetëm 18 mijë persona.
Diferenca abisale konfirmon se Luiz Ejlli mbetet “Mbreti” i padiskutueshëm i audiencës, duke e kthyer këtë mbrëmje në një ngjarje kombëtare.
