Duke nisur nga viti i ardhshëm akademik 2026–2027, sistemi arsimor në vend do të pësojë një ndryshim rrënjësor përmes një projekti pilot që do të zbatohet fillimisht në 30 shkolla.
Këto institucione arsimore do të funksionojnë me orar të zgjatur, duke u ofruar nxënësve qëndrim deri në orën 16:00.
Pjesë e kësaj pakete është ofrimi i drekës falas, pa asnjë kosto shtesë për prindërit, si dhe mundësia që nxënësit t’i përfundojnë detyrat e shtëpisë në ambientet e shkollës nën kujdesin e mësuesve.
Projekti pilot është dizajnuar për të përfshirë ciklin e ulët, konkretisht nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë.
Burime bëjnë me dije se shkollat përfituese kanë marrë tashmë udhëzimet paraprake dhe në disa raste kanë nisur të njoftojnë prindërit. Këta të fundit e kanë mirëpritur masivisht këtë nismë, e cila ka qenë një kërkesë e vazhdueshme ndër vite për të lehtësuar balancën mes punës dhe kujdesit për fëmijët.
Kjo nismë ishte paralajmëruar më herët edhe nga kryeministri Edi Rama, ndërsa drafti për zbatimin e plotë të këtij projekti ndodhet aktualisht në fazën e finalizimit.
