Ç’ndodhi? Dalina Buzi nuk lë gjë pa thënë për Arbana Osmanin

Dalina Buzi ka bërë një tjetër analizë kritike publike ndaj Arbana Osmanit, kësaj radhe duke u fokusuar tek ecuria e emisionit të saj online “Mirëmbrëma Yje” dhe rikthimit të përfolur në televizion.

Në një artikull të publikuar në Anabel me titullin thumbues “Jo çdo yll shkëlqen jashtë ekranit”, Buzi argumenton se projekti personal i moderatores në platformat sociale nuk ka pasur suksesin e pritur.

Sipas analizës, klikimet kanë pësuar rënie të ndjeshme nga sezoni në sezon, pavarësisht përpjekjeve të Arbanës për të ndryshuar formatin, përfshirë edhe episodet e fundit me fëmijë.

Dalina thekson se Arbana është një figurë e krijuar për televizion dhe se lidhja e saj me “Big Brother” mbetet pika e saj më e fortë, por edhe më e dobët.

“Arbana është ndërtuar si figurë prime-time. Bekimi dhe mallkimi i saj është Big Brother-i: aty ka pasur formatin që i shkonte figurës së saj. Sot Big-un po e moderon Ledion Liço dhe po e bën shumë mirë. Prandaj “Ferma VIP” nuk është hap prapa, por një kompromis realist: format që ka nevojë për një emër dhe një emër që ka nevojë për TV. Sepse disa emra, sado të mëdhenj të jenë, nuk shkëlqejnë jashtë televizionit dhe kjo s’është as humbje, as fitore”, shkruhet në komentin e Anabel.

Kjo nuk është hera e parë që Buzi adreson kritika ndaj moderatores. Prillin e kaluar, ajo bëri bujë me një monolog ku i kërkonte Arbanës të hiqte dorë nga diskutimet për “Big Brother” dhe largimin e saj, duke e këshilluar të fokusohej te suksesi i biznesit të saj.

“Kjo goca ka tre vjet që bashkë me Ledionin, flet për Big Brother-in dhe ikjen e saj… Pse merret ende me Big Brother-in?! S’është normale. Rri, krenohu me biznesin… Vazhdon filmi sikur është Vatikani”, ishte shprehur Buzi asokohe.