“Byreku 6, pula me pilaf…”/ Mjeku ‘trondit’ me notat për disa nga gatimet: Ja kush merr 10 absolute

Jemi mësuar t’i shohim si “mbretëreshat” e tryezës, por sa të shëndetshme janë në të vërtetë gatimet tradicionale shqiptare?

Mjeku Altin Habazaj, në një intervistë me moderatorin Rudi Hizmo në “Hoje Media”, ka bërë një skaner të detajuar të pjatave që gatuajnë “mamatë tona”, duke i vlerësuar me nota nga 1 te 10.

Rezultatet mund t’ju habisin, sidomos nëse jeni adhurues të brumrave dhe orizit.

Lajm i keq për ata që nuk bëjnë dot pa këto pjata. Mjeku është treguar i ashpër me kombinimet e karbohidrateve.

Pula me pilaf: Merr notën 5. Arsyeja? Kombinimi i lartë karbohidrat-proteinë dhe cilësia e diskutueshme e pulës nëse nuk është bio. Nëse pula bëhet me perime, nota shkon në 10.

Makarona me mish/Spageti: Vlerësohen me 4-5. Mjeku shprehet se nuk do t’i kishte fare në konsideratë.

Pastiço: Merr notën 5.

Byreku: Edhe pse shija është maksimale, për vlera ushqimore merr notën 6.

Speca të mbushur me oriz: Notën 5.5 (problemi qëndron tek orizi).

Trahana: Merr notën 6, nuk hyn në opsionet e preferuara të mjekut.

Disa pjata janë shumë të mira, por kanë “kleçka” të vogla që u ulin pikët.

Tavë Kosi: Merr notën 9, por me kushtin që të ketë sasi shumë të vogël orizi.

Mish qingji me patate: Patatja e ul vlerësimin në 7.

Grosh/Thierza: Notën 8. Janë perfekte, por duhen konsumuar rrallë.

Patëllxhan i mbushur: Notën 8. Mjeku nuk është i bindur plotësisht për shkak të efekteve pro-inflamatore të patëllxhanit.

Nëse doni të ushqeheni shëndetshëm sipas mjekut Habazaj, këto janë pjatat që duhet të dominojnë tryezën:

Tavë Dheu & Paçe: Të dyja marrin 10 pa diskutim.

Mish qingji në furrë: 10 (pa patate).

Presh, Bamje, Bishtaja me mish: Të gjitha marrin 10. Perimet me mish janë kombinimi ideal.

Japrak: Nëse bëhen me mish, marrin 10. (Me oriz bien në 8).

Qofte shtëpie & Mish viçi: 10.

Tavë peshku: 10.

Kukurec: Merr notën 10, por me paralajmërimin që të brendshmet (sidomos mëlçia) të konsumohen rrallë.

Turshi: 10, vetëm nëse janë artizanale.