E fundit: Humb jetën gazetarja e njohur shqiptare

Gazetaria shqiptare ka humbur sot një nga emrat e saj më të dashur dhe të respektuar. Ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë dhe të vështirë me një sëmundje të rëndë, gazetarja dhe autorja e njohur, Rezarta Reçi.

Reçi ishte një figurë poliedrike në media, autore dhe moderatore e emisioneve të shumta që trajtuan tema të ndjeshme sociale.

Ajo spikati veçanërisht me emisionin e saj ikonik “Arratia e Peshkut të Kuq” në News24, ku përmes intervistave me qindra personalitete, solli për publikun histori njerëzore me thellësi dhe ndjeshmëri të rrallë.

Përveç ekranit, ajo la një trashëgimi të pasur edhe në letërsi. Reçi ishte autore e disa librave, duke përfshirë përmbledhje me intervista dhe rrëfime personale, të cilat reflektuan eksperiencat e saj unike jetësore dhe profesionale.

Miqtë dhe kolegët do ta kujtojnë jo vetëm për profesionalizmin, por edhe për forcën e jashtëzakonshme njerëzore.

Ajo u përball me sëmundjen me një qëndresë dhe dinjitet të admirueshëm, duke mbetur deri në frymën e fundit një shembull i përkushtimit ndaj jetës dhe pasionit për fjalën e lirë.

Ngushëllime familjes!