“Jashtëzakonisht e çuditshme”- 21 të vdekur dhe 100 të plagosur pas përplasjes së trenit në Spanjë, pamje nga vendngjarja (Video)

Spanja është zgjuar e tronditur këtë të hënë pas aksidentit më të rëndë hekurudhor të dekadës së fundit. Të paktën 21 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një përplasjeje fatale mes dy trenave në Adamuz, pranë Kordobës.

Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi kur vagonët e një treni të linjës Malaga-Madrid dolën nga shinat në një segment të drejtë, duke kaluar në kahun e kundërt dhe duke u përplasur dhunshëm me një tren që vinte përballë.

Ministri i Transportit, Oscar Puente, e ka përshkruar incidentin si misterioz.

“Ekspertët janë jashtëzakonisht të hutuar nga aksidenti… është jashtëzakonisht e çuditshme,” deklaroi ai, duke qenë se treni i tipit Freccia 1000 doli nga shinat vetëm 10 minuta pas nisjes.

Skenat në vendngjarje përshkruhen si apokaliptike nga ekipet e shpëtimit. Shefi i zjarrfikësve, Francisco Carmona, rrëfeu vështirësinë ekstreme për të nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat e shtrembëruara.

“Na është dashur të nxjerrim një person të vdekur për të qenë në gjendje të arrijmë dikë të gjallë. Është punë e vështirë dhe e ndërlikuar,” tha ai për RTVE.

Bilanci mbetet tragjik me 24 të plagosur rëndë, mes tyre katër fëmijë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet.