Shtëpia e “Big Brother VIP 5” është përfshirë nga një debat i nivelit të ulët personal, ku Ina ka shpërthyer në ofendime të rënda ndaj Brikenës.
Përveç etiketimeve për pamjen e jashtme, Ina ka hedhur akuza të forta publike, duke pretenduar se titulli i Miss-it është blerë dhe jo fituar me meritë.
“O Miss botoksi, o Miss filleri, grada ‘zh’, llumi. Llumi i Shqipërisë, turpi i shoqërisë. Kush ta ka paguar Miss-in,” ishin fjalët e rënda të Inës, të cilat i kushtuan asaj një vend në nominim përmes Zarfit të Zi.
Pas këtyre akuzave që cënojnë integritetin e kompeticioneve të bukurisë, ka reaguar zyrtarisht në “Fan Club” Arjet Osmani, producentja e “Miss Grand Albania Kosovo and Montenegro”.
Ajo i ka hedhur poshtë kategorikisht aludimet e Inës, duke mbrojtur figurën e Brikenës.
“Ishin të pavend dhe nuk kam çfarë të them për vajzën që mbrëmë kërkoi falje dhe më përfundoi në një televotim me zarf të zi,” u shpreh Osmani, duke theksuar se procesi i përzgjedhjes është rigoroz dhe merr kohë të gjatë.
Sipas producentës, Brikena është një fituese dinjitoze që e ka marrë kurorën falë vlerave të saj të plota.
“Brikena titullin e ka më se të merituar, në pamje, në sjellje dhe në edukatë dhe për formimin që ajo mbart. E këto vlera ajo po i tregon tani në shtëpinë më të madhe Big Brother,” përfundoi ajo, duke i dhënë fund spekulimeve.
