Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka humbur personin e tij më të shtrenjtë. Babai i tij, Siri Shehaj, është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare në Itali, pas një beteje me një sëmundje të rëndë.
Lajmi i trishtë u mësua mbrëmjen e djeshme, kur mungesa e Agronit në emisionin “Të paekspozuarit” u shpjegua nga moderatori Ylli Rakipi si pasojë e kësaj fatkeqësie familjare.
Lidhja e Agronit me të atin ishte e fortë dhe frymëzuese. Vetëm pak muaj më parë, në konventën e prillit 2025, ai i kishte dedikuar fjalë zemre publikisht: “Edhe unë kam pasur një hero, një njeri që më ka mësuar të mos dorëzohem kurrë. Ky njeri është babai im… Nga ai mësova se me punë e këmbëngulje, asgjë nuk është e pamundur.”
Siri Shehaj mbartte mbi supe një histori të dhimbshme e të jashtëzakonshme. Si djalë i një të burgosuri politik që vdiq në burgun e Burrelit, ai u rrit me vështirësi në Vlorë, për t’u larguar më pas në mars të vitit 1991 drejt Italisë.
Ai është njeriu që mori Agronin e vogël në anijen që lundronte nga Himara, një rrugëtim që u bë simbol i asaj kohe.
