Shtëpia e “Big Brother VIP Kosova” është tronditur sot nga një zhvillim i papritur. Ish-banorja e njohur, Xheneta Fetahu, është rikthyer në format, por këtë herë me një mision të veçantë për një qëndrim të limituar prej 24 orësh.
Banorët, të cilët dolën në oborr për të pritur “të ftuarin misterioz”, mbetën të shtangur kur panë Xhenetën. Por, surpriza u kthye shpejt në tension, pasi ajo nuk humbi kohë për të trazuar ujërat.
Sapo shkeli në shtëpi, Xheneta nisi një sulm frontal lidhur me higjienën, duke i kritikuar ashpër se shtëpia është në gjendje të mjerueshme.
Mes kritikave dhe “kunjave” të shumta, ajo lëshoi edhe batutën që shkaktoi sa të qeshura aq edhe siklet: “Keni zbuluar një Covid të ri,” u tha ajo banorëve, duke nënkuptuar se papastërtia në shtëpi ka arritur nivele aq alarmante sa mund të shpikë viruse të reja.
