“Big Brother VIP Albania 5” nuk rresht së prodhuari lajme, dhe këtë herë në qendër të vëmendjes është banori më i ri, Erik Lloshi, i cili iu bashkua shtëpisë vetëm dy ditë më parë.
Një bisedë mes Angelos dhe Lores ka ngritur dyshime të forta për statusin e tij martesor. Angelo ka rikthyer në vëmendje një deklaratë publike që Eriku kishte bërë më herët në emisionin “Live From Tirana”, ku kishte zbuluar ultimatumin e bashkëshortes.
Sipas Angelos, këngëtari kishte rrëfyer se partnerja i kishte thënë shprehimisht: “Nëse do të hysh në ‘Big Brother VIP’, duhet të përgatitesh për divorc.”
Duke parë që Eriku tashmë është brenda shtëpisë, Angelo ka bërë një llogari të thjeshtë, duke aluduar se martesa mund të ketë marrë fund.
“Ky i bie që është ndarë, sepse e pati deklaruar vetë se çfarë i kishte thënë gruaja,” u shpreh ai, duke shtuar me bindje se i ka studiuar me kujdes të gjithë banorët para se të hynte.
