Adriatik Lapaj dërgohet në spital me ambulancë, i ra bombola e gazit në kokë

Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj së bashku me mbështetësit e tij u rikthye sërish mbrëmjen e djeshme para Kryeministrisë edhe pas tensioneve të regjistruara mesditën e së dielës, ku gjatë protestës të organizuar nga vetë ai u përplas me efektivët e Policisë.

Edhe në orët e para të mesnatës Policia ndërhyri sërish duke u përplasur me kreun e Shqipëria Bëhet dhe mbështetësit të tij.

Gjatë kësaj situate raportohet se Lapajt i ka rënë në kokë bombola e gazit, dhe për këtë arsye është dërguar në spitalin e Traumës për mjekim të specializuar.

“I ra bombola Tikut, i ra bombola gazit, thërrisni ambulancën”, thonë mbështetësit e tij.

Nga burimet për Report Tv bëhet me dije se Lapaj ndodhet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, teksa theksohet se nuk ka pësuar dëmtime serioze. Të njëjtat burime informojnë se kreu i Shqipëria Bëhet i është nënshtruar edhe një skaneri, përgjigjet e të cilit nuk kanë dalë ende.

Pas kësaj situate Lapaj përmes një reagimi në rrjetet sociale shprehet se nuk do të dorëzohet, por sapo të mbaroj ekzaminimet në spital do të kthehet sërish në shesh, teksa përgjegjës bën kryeministrin Edi Rama.

“Ndodhem te Spitali i Traumës ku po kryej ekzaminimet. Sërish do kthehem në shesh. Edi Rama unë nuk të kam frikë. Përkundrazi! Ti je kreu i një bande dhe do mbash përgjegjësi”, shkruan Lapaj në rrjetet sociale.

Ndërkohë blutë nga ana tjetër kanë shoqëruar dr.Eduart Kaca, anëtar i Lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’, që prej 20 ditësh ka ardhur nga Dusseldorfi për të protestuar përballë Kryeministrisë.

Adriatik Lapaj zhvilloi dje (4 janar) protestën e radhës para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore për 12 muaj që do t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja.

Gjatë fjalimeve, Lapaj dhe mbështetës të tij u përplasën me forcat e policisë, duke pretenduar se punonjës civilë të Policisë së Shtetit po filmonin protestuesit “me qëllim që t’i shoqëronin pas tubimit”.

Po ashtu gjatë kësaj proteste nuk munguan as përplasjet pasi efektivët e policisë hoqën çadrat e instaluara nga mbështetësit e tij.