Filmi i ri me Kiara Tito dhe Luiz Ejlli, “Loja e fundit”, i cili pritet të shfaqet në muajin shkurt, po vazhdon të zgjojë interes të madh te publiku.
Me afrimin e premierës, po dalin në dritë edhe detaje të reja që shtojnë kureshtjen rreth historisë dhe personazheve.
Sipas Iconstyle, dy protagonistët kryesorë mbajnë emrat Luiz Belli dhe Kiara Pipo, një zgjedhje që ka tërhequr menjëherë vëmendjen për shkak të ngjashmërisë me emrat dhe figurën publike të vetë aktorëve.
Megjithatë, theksohet se ngjarjet e filmit nuk kanë lidhje me jetën reale të Kiarës dhe Luizit. Historia është tërësisht fiktive dhe bazohet në personazhe të imagjinuar.
Ndjesia e realizmit që përcillet te publiku vjen si rezultat i përfshirjes emocionale dhe kimisë së fortë mes dy protagonistëve, që e bëjnë rrëfimin të duket i sinqertë dhe shumë personal.
Përveç roleve kryesore, filmi përfshin edhe një kast të gjerë aktorësh, ku bëjnë pjesë Akil Varfi, Eglein Laknori, Besnik Çinari, Drande Xhaj dhe Zhani Ciko, duke premtuar interpretime të larmishme dhe dinamike.
“Loja e fundit” mban firmën e Klaudia Brahimaj si producente dhe skenariste, ndërsa regjia i është besuar Bjordi Mezinit.
Filmi renditet ndër projektet më të përfolura të fillimvitit dhe publiku mbetet në pritje të detajeve të tjera që pritet të zbulohen së shpejti rreth historisë dhe personazheve.
