Tjetër aksident tragjik/ 5 të vdekur vetëm 48 orë nga nisja e 2026-ës

Një aksident i rëndë rrugor është shënuar para pak minutash në aksin kombëtar Lezhë–Shkodër, në afërsi të fshatit Gocaj.

Dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin dhe, sipas burimeve paraprake, dyshohet se si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën dy persona.

Nga aksidenti janë plagosur gjithashtu katër persona të tjerë, mes tyre edhe dy fëmijë. Të lënduarit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse për nxjerrjen e personave nga automjetet, ndërsa policia dhe grupi hetimor po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

Informacioni paraprak pritet të përditësohet me të dhëna të reja nga autoritetet.

Kujtojmë se vetëm disa orë më parë humbën jetën edhe tre të rinj në afërsi të qytetit të Tepelenës.