50-vjeçari trondit Shqipërinë, dhunon për vdekje gruan e tij dhe më pas i jep fund jetës

Një krim në familje ka ndodhur ditën e sotme në Orikum, në Vlorë. Burime paraprake për Report Tv bëjnë me dije se një burrë ka dhunuar për vdekje gruan e tij dhe më pas ka vrarë edhe veten.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 ku në trupin e Sose Xhebroit, rreth 48 vjeç, janë konstatuar shenja dhune të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga bashkëshorti i saj Llogora Xhebroi, rreth 50 vjeç.

48- vjeçarja ka ndërruar jetë në banesë. Ndërkohë shërbimet e policisë kanë konstatuar të vetëvrarë në garazhd me armë zjarri Llogara Xhebroin dhe pranë trupit të tij është konstatuar një armë zjarri tip Glock dhe një gëzhojë kalibër 9 mm.

Sipas informacioneve për Report Tv, çifti ka patur probleme dhe kanë shkuar drejt divorcit më parë. 48- vjeçarja mendohet se është dhunuar nga bashkëshorti, ndërsa ata janë prindër të dy djemëve të rritur.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për dokumentimin dhe sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje.

Njoftimi i policisë:

Orikum/Informacion paraprak/ Sot, rreth orës 13:30, është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase, në Orikum, është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasja S. Xh., 40 vjeçe, është vrarë nga bashkëshorti i saj, shtetasi Ll. Xh., 50 vjeç.

Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth kësaj banese, në garazh është gjetur dyshohet i vetëvrarë me armë zjarri autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Ll. Xh.

Arma pistoletë e gjetur në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.